EKUACIONI POETIK


Poezia është gjetur në një nga fletoret e shumta të Sotir Qirinxhiut. Është një fletë e shkëputur dhe me sa duket, i përket kohës kur ky ka qenë nxënës në Liceun e Korçës (as fletorja, as fleta nuk ka të shënuar vit). Poezia është përkthim i epigramit të famshëm për Diofantin*. Gjasat janë që poezia të jetë përkthyer prej tij ose ndonjë shoku të tij të klasës, por ajo që të bën përshtypje është përpjekja e admirueshme dhe e suksesshme për ta shqipëruar atë në mënyrë të përsosur.

Poezi ekuacion R.Qirinxhi

Në ktë var udhëtar prehet Diofanti,
Disa vargje t’shkrojtur prej dore të ditur,
Thon’ në ç’moshë vdekja atë e ka pritur,
Nga të shumtat ditë, që i fali fati,
një e gjashta shkoi me fëminin që pati,
E dymb’dhjeta shkoi me kohën e djalëris,
Nga t’shtat’ pjesët e jetës dhe një u bitis,
Dhe si u martua i dha ati fati
Pesë vjet më von nj’ bir, që fat nuk pati,
Jazëk rojti dy herë më pak se i ati;
Katër vjet akoma rojti ky i mekur;
Thuaj, në di ti hesap, në ç’moshë ka vdekur.
Me x, ti shënoje numurin në fjalë,
Dhe na shtro, nj’ ekuasion dale me ngadalë,
Ku, në pjesën e parë gjendetë e gjashta,
Dh’ e dymbdhjeta, e x-së, pastaj dh’ e shtata,
Shto-i asaj dhe 9, pastaj barazoje,
me të x-së gjysmën, mbasandaj thjeshtoje,
do ta shikosh bukur pa gabim pa hatër
mosh’ e tija ishte tetëdhjet e katër.

*Diofanti i Aleksandrisë, nganjëherë i quajtur “babai i algjebrës”, ishte një matematikan grek dhe autor i një sërë librash të quajtur Arithmetica, shumë prej të cilave tashmë kanë humbur. Këto tekste merren me zgjidhjen e ekuacioneve algjebrike. Pak dihet rreth jetës së tij. Jetoi në Aleksandri të Egjiptit, ndoshta midis viteve 200 ose (214) dhe 284 (ose 298) të erës së re. Gjithçka dimë për të rrjedh nga një antologji greke e shekullit X me lojëra numrash dhe puzzles të krijuara nga Metrodorusi. Një nga problemet (i quajtur nganjëherë dhe epitafi i tij) është epigrami i mësipërm. Sipas tij, Diofanti ka jetuar 84 vjet, megjithatë, saktësia e informacionit nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur. Burimi: Wikipedia / Diophantus

Scroll to Top