ARKIVI I BIBLIOTEKËS
së gjimnazit “Raqi Qirinxhi”
(ABRQ)

FONDI HISTORIK (D), (R)

Lista e dosjeve/katalogëve


Dosja 1 (D1)
Dosja 1 përmban dokumente të periudhës së para Luftës së Dytë Botërore. Dokumentet janë sporadike, sepse arkivi i vjetër i Liceut është tërhequr prej Drejtorisë së Arkivave më 1963. Nga dokumentet e pakta që kanë mbetur janë disa shkresa të dhe për Ministrinë e Arsimit, dëftesa trimestri të nxënësve të ndryshëm, fletore nxënësish e profesorësh etj. Dokumenti më i vjetër është një fletore nxënësi e vitit 1924 me tekste poezish e këngësh franceze, ndërsa dokumenti më i fundit është një fletë detyre në matematikë, e datës 20.07.1943.
Nëndosje: A
Periudha: 1924 – 20.07.1943

Dosja 2 (D2)
Kjo dosje përmban përgjithësisht dokumente të vitit 1945, viti i parë i rihapjes së Liceut “Thoma Turtulli” (mbyllur për shkak të luftës) në godinën ekzistuese, me shumicën e profesorëve dhe nxënësve të vjetër. Dokumentet e dosjes pasqyrojnë vështirësitë e rihapjes dhe janë në përgjithësi njoftime, autorizime, emërime mësuesish, vërtetime shkollore, ekuivalentime lëndësh, qarkore të Ministrisë për fillimin e punës, letërkëmbim për programet shkollore dhe zbatimin e tyre, shtim dhe heqje lëndësh mësimore, urdhra për pjesëmarrje në konferenca, aktivitete sportive, manifestime, udhëzime për sjelljen e nxënësve, mënyrën e salutimit etj. Nga dokumentet më interesante janë dy raportet, një për gjendjen e shkollës kur u rihap dhe një për përfundimin e vitit shkollor 1944-45.
Nëndosje: A, B, C, D, E, F
Periudha: 11.01.1945 – 08.11.1946

Dosja 3 (D3)
Shumica dërrmuese e dokumenteve të dosjes i përkasin vitit shkollor 1945-1946 dhe janë thuajse të një tipi me dokumentacionin e dosjes paraardhëse (D2): vërtetime, dëshmi, dëftesa, emërime dhe transferime mësuesish, kërkesa, lutje, preventiva shpenzimesh etj. Interesante janë materialet e nëndosjes F, që kanë të bëjnë me vendime të Këshillit të Disiplinës, raportime të mësuesve dhe ankesa të nxënësve, masa disiplinore etj. Gjithashtu gushti i 1946-ës është muaji i ndërrimit të emrit të shkollës dhe kjo pasqyrohet te dokumentet e lëshuar deri më 5 gusht me emërtimin Drejtoria e Liceut “Thoma Turtulli”, ndërsa nga data 8 gusht me emërtimin Drejtoria e Liceut “Raqi Qirinxhi”. Madje ekziston një shkresë në të cilën sekretari, me sa duket për forcë zakoni, ka shkruar emrin e vjetër të liceut “Thoma Turtulli”, pastaj e ka fshirë dhe ka shkruar emrin e ri “Raqi Qirinxhi”.
Nëndosje: A, B, C, D, E, F
Periudha: 12.01.1944 – 30.12.1946

Dosja 4 (D4)
Dosja e katërt përmban dokumente të viteve 1946-1947. Dokumentet janë përgjithësisht lutje e kërkesa nxënësish e profesorësh, shkresa zyrtare, qarkore, korrespodencë institucionale mes shkollës, Ministrisë etj., raporte vjetore, emërime dhe transferime profesorësh, telegrame, programe aktivitetesh, vërtetime etj. Dokumente interesante janë: një certifikatë, ndoshta nga të parat çmime, dhënë shkollës nga BRASH, vendimi për mbylljen e shkollës për shkak të epidemisë së morrit (janar-shkurt 1946) dhe lajmërimet për konferencat profesorë-prindër.
Nëndosje: A, B, C, D
Periudha: 02.01.1946 – 14.08.1947

Dosja 5 (D5) rezervate
Dosja e pestë është pjesë e serisë së dosjeve që përmbanin korrespodencën sekrete. Në përgjithësi përmban raporte të drejtorisë për profesorët, qëndrimin e tyre politik apo në lidhje me reformën arsimore, përshtatjen e tyre me frymën e re, udhëzime të ministrisë mbi lehtësimet që duhet t’u bëheshin profesorëve sovjetikë dhe jugosllavë, udhëzime për kontrollin e nxënësve për sëmundje etj. Në këtë dosje janë edhe dokumentet që pasqyrojnë ngjarjen e shkrimit të parullave anti-regjim në muret e shkollës (7 nëntor 1948), ndjekjen dhe arrestimin e tre nxënësve të dyshuar dhe tre të tjerëve që tentuan të arratisen. Ndoshta dokumentet më interesante janë dy raportet që drejtoria i dërgon Ministrisë. Raporti i tremujorit I të vitit shkollor 1948-49, në të cilin tregohet hapur qëndrimi armiqësor që shkolla mban ndaj fëmijëve të familjeve të pasura, ftohtësia, mosaktivizimi, ulja e notës etj., duke viktimizuar kështu 60-80 nxënës dhe duke krijuar qëllimisht një klimë urrejtjeje rreth tyre. Raporti i dytë është ai vjetor i po atij viti, në të cilin drejtoria ankohet për Organizatën e Rinisë që ndërhyn në punën e profesorëve, në ndarjen abuzive të klasave, për të favorizuar në notë anëtarët e saj (të cilët, siç theksohet, janë nxënësit më të dobët të shkollës) etj.
Nëndosje: A, B, C, D, E, F
Periudha: 20.06.1945 – 09.09.1950

Regjistra (R)
Ky seksion përmban regjistra me të dhënat e nxënësve të regjistruar në Lice për periudhën 1921-1943 (emrat, gjeneralitetet, klasat dhe datat e regjistrimit), regjistrat e notave të nxënësve për periudhën 1919-1943, regjistra me emrat dhe të dhënat e bursistëve të shtetit që vazhdonin shkollën në Lice (1924-1931), regjistër me emrat e nxënësve që kanë fituar maturën (1926-1953) dhe bakaloreatin (1935-1939), regjistra dëftesash për taksat e paguara për regjistrim ose diplomim, regjistra protokolli etj.
Periudha: 1919 – 1981

Amza Nr. 1 e Lyceut Kombëtar
Amza e parë e Lyceut Kombëtar përmban gjithë nxënësit që kanë qenë prej vitit shkollor 1935-1936 e në vazhdim (1153 nxënës). Të dhënat e shënuara për çdo nxënës janë: emri, mbiemri, atësia, vendlindja, viti i lindjes, shkollën nga vinte, rezultatet për çdo vit shkollor, rezultatet e provimeve dhe shënime për sjelljen, masat e marra etj. Amza është tërhequr nga Arkivi i Shtetit, ndërsa fotot e faqeve të saj ndodhen në Fondin Audioviziv të Bibliotekës me INDEX AV-K3A/1, AV-K3A/2, AV-K3A/3, AV-K3A/4.
Periudha: 1935 – 1948

Scroll to Top